Lajme

Mitrovicë, aktivitete të shumta për nder të “17 shkurtit”

  • 16/02/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Mitrovicë kanë filluar që prej datës 13 të këtij muaji.

Kështu u tha të martën në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve në Komunën e Mitrovicës, kryesuar nga Kryetari Bedri Hamza.

“Aktivitetet për shënimin e kësaj dite kanë filluar që nga data 13 shkurt, me një program të pasur kulturor, artistik dhe aktivitete të shumta sportive për të gjitha grupmoshat”, ka thënë drejtoresha e DKRS-së Valdete Idrizi.

Idrizi ka shtuar se me 16 shkurt në orën 09:00 do të bëhet hapja e ekspozitës së librit në bibliotekën komunale, ku aktivitetet do të zhvillohen edhe nga ora 18:00 me manifestimin qendror dhe përformancën e sopranos Elbenita Kajtazi, të përcjellë në piano nga Anisa Suhodolli Mujka dhe në orën 19:00 shfaqja teatrore.

Kurse me 17 shkurt do të filloj dita e festës, fillimisht me homazhe në varrezat e dëshmorëve nga ora 10:00, vizitë në kompleksin përkujtimor në Prekaz, në kullën e Isa Boletinit në Boletin dhe homazhe tek shtatorja e Mehë Ukës në shesh, si dhe nga ora 13:00 do të fillojë koncerti festiv në qendër të qytetit.