Lajme
Mitrovica bëhet me Shtëpi të Peshkatarëve
- 16/11/2022
- By RTV Mitrovica
![](https://rtvmitrovica.com/app/uploads/2022/11/314808058_500419408786254_468434953636030553_n.jpg)
Të martën tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë është bërë përurimi i Shtëpisë së Peshkatarëve.
Në përurimin e këtij objekti morën pjesë kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, z. Edison Tërnava, përfaqësues të Shoqatës së Peshkatarëve Sportiv Rekreativ (SHPSR) “Ibri”, si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Kryetari z. Bedri Hamza tha se ndihet i kënaqur që ndodhet në mesin e të pranishmëve për përurimin e këtij objekti, duke thënë se Shtëpia e Peshkatarëve do të plotësoj dhe t’u ofroj kushte më të mira peshkatarëve dhe SHPSR “Ibri”.
Ai ka thënë se projekti i realizuar do t’ia rrit vlerën Liqenit Akumulues, përveç kësaj synohet mbrojtja e ambientit dhe përkujdesja për botën ujore në këtë zonë të Ibrit.
“Shumë shpejt Komuna e Mitrovicës do të ketë kontratë për mirëmbajtjen e liqenit, do të ndërtohet ura e re, rritja e sipërfaqeve gjelbëruese dhe mbjellja e drurëve dekorativ, duke përfshirë këtu edhe sistemin e ujitjes. Investime këto të cilat do t’ia rrisin imazhin dhe bukurinë Liqenit Akumulues në Mitrovicë”, tha kryetari Hamza.
Ndërkaq, drejtori i DPU-së, z. Tërnava, tha se Shtëpia e Peshkatarëve me hapësira funksionale do të jetë vendtakim i më shumë se 350 anëtarëve, të cilët janë pjesë e integruar e aktiviteteve ditore në peshkim dhe më shumë.
Në fund sekretari i SHPSR “Ibri”, Arif Kadriu, ka falënderuar kryetarin Hamza për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për peshkatarët e Mitrovicës, pasi që ata tani e kanë një shtëpi të përbashkët ku mund ti kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.