Kulture
Mirënjohje e veçantë për Prof. Lirije Halili Koshi
- 17/12/2023
- By RTV Mitrovica
Drejtoria për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, ndau mirënjohje të veçantë, për profesoreshën Lirije Halili Koshi, për kontributin e saj dyzet vjeçar në zhvillimin e kulturës në Mitrovicë.
Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, në praninë e familjes, miqëve, kolegëve, nxënësve të shumtë të saj, intelektualëve dhe artistëve të shumtë, u vlerësua lart kontributi dhe veprimtaria e znj. Lirije Halili Koshi, si një vlerë e pakrahasueshme e qytetit.
“Thesar tejet i çmuar” e quajti drejtoresha për Kulturë znj. Valdete Idrizi, derisa i ndau edhe mirënjohje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në zhvillim të kulturës.
Programi i pasur artistik që filloi me befasinë e bukur që i bënë Kori i fëmijëve “Cicërrimat Buzë Ibrit” performoi këngën Liria, dedikuar asaj.
Këngë shkruar nga znj. Arbenita Pestova Vërbiqi e në piano znj. Saranda Kutllovci Syla. Më pas Kori i Mrekullueshëm i Shkollës së Muzikës Tefta Tashko, nën dirigjimin e jashtëzakonshëm të z. Yll Daklanit. Befasia e bukur ishte edhe performanca e super talentit tjetër Yll Haliti, bashkë me Dren Llumnica me duo piano dhe një solo, dhe në fund performanca briliante e sopranos tonë të mirënjohur Zana Abazi Ramadani, nën përcjelljen e dy mjeshtërve të mëdhenj profesor z. Valton Beqiri dhe z. Edon Ramadani.
Pas pjesës ku shumë të pranishëm ndanë kujtimet dhe fjalët e bukura për Lirijen si, drejtoresha e DKA-së znj. Drita Kadriu, drejtoresha e Shkollës së Muzikës Tefta Tashko znj. Valbona Prekazi, gazetari z. Urall Boshnjaku, artistët e mirënjohur Shpresa Gashi, Rona Nishliu, Granit Musliu, kompozitori Sami Piraj, profesorët Valton Beqiri e Vlora Baruti dhe shumë miq dhe nxënës të saj.
Befasia tjetër e kësaj mbrëmjeje ishte një video produksion i përgatitur nga Kushtrim Hoti, enkas për këtë mbrëmje, me foto e video kujtime ndër vite, po edhe disa artistë të mirënjohur me video mesazhe uruan e falenderuan zonjën Lirije Halili Koshin për punën e jashtëzakonshme që kjo bëri për ta si Elbenita Kajtazi, Lindita Hakaj, Ergin Oda, Teuta Kurti, Visar Kasa si dhe nga Holanda Otto dhe Laura Hassler nga Muzicientet pa kufi.
Në fjalën e saj zonja Lirije falenderoi Komunën e Mitrovicës dhe drejtoreshën Valdete Idrizi për këtë mirënjohje, falënderoi familjen për përkrahjen e vazhdueshme, falendëroi miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë që ishin prezentë.
Drejtoresha Idrizi pasi lexoi biografinë e saj tejet të pasur, një rrugëtim që çdokush do ta kishte lakmi, ajo falënderoi edhe njëherë znj. Halili Koshi për punën e saj shumë dekadëshe në zhvillim të kulturës, përgatitjen dhe rritjen e shumë brezave, shembullin që ajo i dha asaj dhe të gjithëve si motivim për punë.