Lajme

Me mbledhje komemorative është nderuar vepra e profesorit të ndjerë Asllan Istrefi

  • 03/11/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Me mbledhje komemorative është nderuar vepra e profesorit të ndjerë Asllan Istrefi

Sot në hollin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, nën patronazhin e kryetarit të komunës, z. Bedri Hamza dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, janë mbajtur homazhe për profesorin të ndjerë Asllan Istrefi.

Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë përfaqësues komunal, familjar, veteranë të arsimit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë, personalitete politike, qytetarë dhe miq.

Pas homazheve është mbajtur mbledhja komemorative, me ç’ rast kryetari i komunës, z. Bedri Hamza në fjalën e tij, tha se jemi mbledhur në këtë akademi përkujtimore për të nderuar me respektin më të madh njërin nga njerëzit më të vyer të këtij vendi, intelektualin e pashoq, drejtorin e mësimdhënësin, luftëtarin e lirisë, krijuesin dhe autorin e disa veprave të çmueshme për vendin tonë.

Ai tha se krahas punës shumëvjeçare në arsim, në luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër ushtarët dhe udhëheqësit e shquar, profesor Asllan Istrefi ka dhënë kontribut të madh edhe në fushën e kulturës, e në veçanti ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve historike nga Mitrovica.

Gjithashtu kryetari z. Hamza ka shprehur ngushëllimet me të sinqerta për familjen Istrefi, duke thënë se profesori ishte dhe mbeti njëri ndër nderuesit kryesor të dy shtyllave të jetës, arsimimit dhe lirisë.

Ndërsa, në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti djali i të ndjerit, i cili i falënderoi pjesëmarrësit që po e bashkëndjenjë dhimbjen me ta.

Më tutje kryetari z. Hamza së bashku me përfaqësues komunal dhe Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të të ndjerit.