Lajme
Mbyllet me sukses ”Java Evropiane e Trashëgimisë Kulturore” në Muzeun e Mitrovicës
- 02/10/2023
- By RTV Mitrovica
Mbyllet me sukses “Java Evropiane e Trashëgimisë Kulturore” në Muzeun e Mitrovicës
Gjatë gjithë javës (23-30 shtator) në muzeun e qytetit u zhvilluan aktivitete të ndryshme, gjatë të cilave u mundësua eksplorimi i pasurisë tonë kulturore në mënyra të shumta dhe me qasje gjithëpërfshirëse.
Aktivitetet filluan me hapjen e ekspozitës “Më shumë për Mitrovicën,” një ekspozitë e prodhuar nga OJQ “7arte” dhe Fakulteti i Arkitekturës duke trajtuar monumentet kulturore të Mitrovicës si dhe vizionimin e tyre. Ekspozita u kurua dhe interpretua nga Marigona Rexha dhe Diellza Jolliqi për grupe të ndryshme të vizitorëve dhe studentëve.
Më pas, u organizuan aktivitet për fëmijë në një mbrëmje emocionuese me filma vizatimorë nga Anibar dhe një eveniment krijues me titullin “Ta ngjyrosim trashëgiminë,” ku dhjetëra fëmijë patën mundësinë të ngjyrosin monumente të ndryshme identitare të Mitrovicës, si dhe të shijojnë filma të prodhuar nga Anibar që i dhuruan Muzeut të Mitrovicës si pasuri e sektorit multimedial dhe programit edukativ për fëmijët. Filmat kishin tema kulturore tradicionale si Filigrani, Kujtimet, Vallet, Veshjet etj.
Aktiviteti “Shetitje në kohë” iu ofrua nxënësve për t’u njohur më shumë me monumentet e çmuara të Mitrovicës dhe për të kuptuar rëndësinë e tyre historike. Si aktivitet u organizua në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë dhe organizatën kulturore “7arte.”
Po ashtu u mbajt tryezë ndermuzeale me temën “E ardhmja e muzeve lokal?” që solli një diskutim të pasur dhe të frytshëm nga ekspertët e fushës dhe përfaqësues të muzeve lokale të Kosovës duke përfshirë përfaqësues nga: Muzeu i Gjakovës, Muzeu i Vushtrrisë, Muzeu i Ferizajit, Muzeu i Istogut, Muzeu i Skënderajit, Muzeu i Shtimes, Muzeu Kombëtar i Kosovës, si dhe anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës. Tryezë që drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Valdete Idrizi, e përshëndeti në emër të Komunës së Mitrovicës.
Ngjarja e fundit e kësaj jave të frytshme kulturore në Muze të Mitrovicës, u përmbyll me një natë poetike me lexime të veprave të poetit të madh Muhamet Kërveshi. Interpretim artistik të veprave të poetit u sjellën nga Fisnik Istrefi dhe Diellza Zhubi, si dhe një performancë poetike nga nxënësit e Shkollës Fillore Musa Hoti, që përfshiu veprën e fundit të poetit “Mërzia për Mitrovicën.” Rreth jetës dhe veprës së autorit u reflektua nga aktori mitrovicas Bedri Selmani.
E në fund ky aktivitet u mbyll me një ndarje të mirënjohjes për kontributin e poetit, nga drejtoresha e DKRS-së, znj. Valdete Idrizi si dhe drejtoresha e Muzeut znj. Nora Prekazi, mirënjohje që ju dha të birit të poetit, z. Kujtim Kërveshi.
Muzeu i Mitrovicës i dha Mitrovicës një javë me aktivitet të larmishëm kulturor, si dhe njëherit u pasurua edhe më shumë gjatë kësaj jave me shumë momente të bukura dhe të vlefshme, me moton të jemi krenarë për trashëgiminë tonë të pasur.