Lajme
Mbahet takim për marrjen e masave në parandalimin e zjarr vënieve në pyje, hapësira publike dhe private
- 18/07/2023
- By RTV Mitrovica

Mbahet takim për marrjen e masave në parandalimin e zjarr vënieve në pyje, hapësira publike dhe private
Sot drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, z. Bahtir Maxhuni, ka pritur në takim zyrtarë nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Zjarrfikësit, zyrtarë nga drejtoria e Inspekcionit, përfaqësues të Agjencionit të Pyjeve.
Në këtë takim u diskutua lidhur me marrjen e masave preventive kundër zjarr vënies në pyje dhe hapësira tjera.
Gjatë takimit u kërkua që Policia e Kosovës të shton patrullimet në pikat kritike ku mund të ketë zjarre të befasishme nga dora e njeriut dhe me gjerë të identifikuar në Plan të Veprimit, po ashtu u kërkua nga Agjencioni i Pyjeve për shtimin e rojeve të malit për të vetmin qëllim në ruajtjen e pyjeve dhe hapësirave tjera dhe vetëdijesimin e banorëve në ato pjesë.
Njëherësh u kërkua nga zjarrfikësit të rrisin nivelin e gatishmërisë që të jenë më efikas në intervenimin për shuarjen e zjarrit në pyje dhe hapësira tjera.
Andaj, nga ky takim apelojmë për qytetarët e Komunës së Mitrovicës, meqenëse kemi hyrë në sezonën e verës ku mund të kemi temperatura te larta të ajrit, që ndikojnë në rritjen e rrezikut dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura malore dhe fushore me qëllim të evitimit të rrezikut, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, shtazëve, pronës dhe ambientit, kërkojmë të jeni të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktareve të mundshëm të zjarrit në pyje dhe hapësira tjera duke ditur se asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë është vepër penale e sanksionuar me kodin penal të Republikës së Kosovës duke ju rikujtuar se një shkëndi e vogël zjarri mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe kudo që shihni tym apo zjarr njoftoni shërbimet emergjente 112, Policinë e Kosovës 192, numrin unik të zjarrfikëseve 193 si dhe shërbimin mjekësor emergjent 194, numra unik pa pagesë që funksionojnë 24/7.