Lajme
Mbahet diskutimi i dytë publik për Hartën Zonale Komunale në Mitrovicë
- 23/03/2022
- By RTV Mitrovica
Në sallën e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të mërkurën është diskutuar për pjesën urbane të qytetit të Mitrovicës, respektivisht për lagjen “Fidanishte” dhe “Iliridë”.
Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, Edison Ternava, ka thënë se ky dokument i rëndësishëm ka për qëllim që t’i jap zgjidhje zhvillimit dhe rigjenerimit të qytetit, andaj ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të kontribuojnë përmes dhënies së komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve në hartimin final të Hartës Zonale Komunale.
Prezantimin e Draftit të Hartës Zonale, e ka bërë shefi i Sektorit të Urbanizmit, Nexhmi Hasani, dhe kompania projektues “INSI”, të cilët kanë elaboruar para të pranishmëve edhe këtë draft-dokument.
Hasani, ka thënë se qëllimi i këtij takimit është që qytetarët të informohen me procesin e hartimit të HZK-së, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinorë në territorin e komunës, përmes qeverisjes së mirë, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe të trashëgimive natyrore dhe kulturore.
Përveç që u njoftuan me draftin e këtij dokumenti, qytetarët që morën pjesë në këtë takim kanë dhënë pikëpamjet dhe sugjerimet e tyre për pjesën urbane ku ata jetojnë.
Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm do të vazhdoj të mbaj diskutime të tilla edhe në ditët në vijim, ndërsa qytetarët të gjitha propozimet dhe komentet e tyre mund t’i japin edhe përmes ueb faqes së Komunës https://kk.rks-gov.net/mitroviceejugut/ ose drejtpërdrejt tek zyrtari përgjegjës z.Nexhmi Hasani (email: nexhmi.hasani@rks-gov.net).