Lajme
Mbahet dëgjimi i parë publik për planifikimin e buxhetit për vitin 2023
- 20/07/2022
- By RTV Mitrovica
Mbahet dëgjimi i parë publik për planifikimin e buxhetit për vitin 2023
Në shkollën fillore “Fazli Grajqevci”, në Shipol sot është mbajtur dëgjimi i parë buxhetor me qytetarë për planifikimin e buxhetit për vitin 2023 dhe parashikimet për vitet 2024-2025.
Hapja e këtij takimi është bërë nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, e cila ju tha të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe të japin propozime dhe të shpalosin kërkesat e tyre të cilat do të bëhen pjesë e projekteve kapitale.
Për buxhetin në përgjithësi dhe për mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së tij, foli zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu.
“Buxheti i komunës për vitin 2023, planifikohet të jetë 25, 011,350.00 euro. Burimet e fondit të buxhetit janë granti i përgjithshëm 9, 725,479.00, granti i arsimit 8,522,968.00, granti i shëndetësisë 2,739,643.00, financimi i teatrove 169,890.00, shërbimet rezidenciale 180,000.00 dhe nga të hyrat vetanake 3,673,370.00 euro”, tha z. Fazliu.
Kërkesat e parashtruara nga ana e qytetarëve të pranishëm ishin; rregullimi i rrugës së Shipolit, vendosja e policëve të shtrirë që të evitohen aksidentet në komunikacion si pasoj e shpejtësisë së madhe nga veturat, rregullimi i pusetave, ndriçimi publik, rregullimi i çerdhes publike, transporti publik, vendosja e zyrës së gjendjes civile të fshatit në një lokacion më të përshtatshëm.