Lajme
Lansohet raporti “Të jesh person me aftësi të kufizuara në tregun e punës”
- 26/04/2023
- By RTV Mitrovica

Të martën në lokalet e Handikos Mitrovica është lansuar raporti “Të jesh person me aftësi të kufizuara në tregun e punës”.
Ky raport thekson nënpërfaqësimin e personave të kualifikuar me aftësi të kufizuara në fuqinë punëtore, gjë që kufizon potencialin për rritje ekonomike dhe zhvillim social.
Pavarësisht ekzistencës së një kornize ligjore në dukje gjithëpërfshirëse, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe përjashtim nga shoqëria, duke i penguar ata të integrohen në tregun e punës.
Në raport janë identifikuar mënyra për të përmirësuar përvojat e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes reduktimit të barrierave për hyrjen dhe duke adresuar çështjet që lidhen me mjedisin e punës. Ky raport është një burim i vlefshëm për politikëbërësit, organizatat e shoqërisë civile dhe punëdhënësit që kërkojnë të promovojnë të drejtat dhe mundësitë e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Ky botim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës” implementuar nga ATRC dhe BIRN.