Lajme
Kuvendi Komunal në Mitrovicë mbajti seancë solemne për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
- 17/02/2023
- By RTV Mitrovica

Në shënimin e 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Komunës në Mitrovicë ka mbajtur seancë solemne, ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, nënkryetari, z. Arian Tahiri, anëtarët e kuvendit, përfaqësues të Këshillit të Bashkisë së Vlorës, drejtorë të drejtorive komunale si dhe përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së.
Seancën e hapi kryesuesja e Kuvendit, znj. Vesa Broja, e cila duke jua uruar Ditën e Pavarësisë të pranishmëve, theksoi se në këtë ditë përkujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Ajo më tutje ka shtuar se po në këtë ditë është jetësuar amaneti i dëshmorëve dhe përmbyllja e asaj që Adem Jashari me shokë e nisën për ta përfunduar bashkëluftëtarët e tij, në krye me presidentin Hashim Thaçi.
Kurse, në fjalën e tij, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, tha se ditët si këto na obligojnë pashmangshëm që të bëjmë një reflektim të rrugës tonë drejt qëllimit kryesor lirisë dhe qëllimeve për të tashmen e të ardhmen, që kurrë nuk duhet të shterren nga vullneti i mirë e njerëzor për ta parë këtë vend aty ku i ka hije dhe e meriton.
“Përpjekjet e popullit tonë për këtë ditë janë të mëdha e të shtrira në kohë. Secila gjeneratë pashmangshëm ka vendosur gurin e vet në themelet e lirisë së Kosovës. Që nga Pavarësia e Vlorës e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së që ishte momenti më i dinjitetshëm në vetëdijen dhe veprimin për liri dhe pavarësi. Ata që dhanë gjakun për t’ju kthyer një dritë Kosovës në rrugën e saj për liri duhet t’i kemi gjithmonë në zemër, sepse janë udha që nuk do na lëne kurrë të gabojmë. Unë kam shpresa të mëdha për këtë vend, sepse ia kam pa vullnetin e pashembullt dhe ia njoh potencialin që e ka brenda vetes. Gëzuar Pavarësia”, ka thënë kryetari Hamza.
Ndërsa, më pas fjalën mori edhe Prefekti i Qarkut Vlorë, z. Flamur Mamaj, si dhe përfaqësuesit e grupeve kuvendare, të cilët në emër të grupeve të tyre kuvendare kujtuan sakrificën e dëshmorëve e të martirëve, dhe në veçanti të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.