Lajme

Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi Buxhetin për vitin 2023 në shumë prej 25,011,350.00 euro

  • 27/09/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Kuvendi Komunal i Mitrovicës miratoi Buxhetin për vitin 2023 në shumë prej 25, 011,350.00 euro

Nën drejtimin e kryesueses, Vesa Broja, dhe në prani të kryetarit të komunës, Bedri Hamza, nënkryetarit, Arian Tahiri, drejtorëve komunal dhe asamblistëve, sot është mbajtur seanca e 12-të e rregullt e Kuvendit të Komunës.

Fillimisht mbledhja nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta të ish- asamblistit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, z. Ali Ahmeti.
Më pas kryesuesja Broja propozoi rendin e ditës për miratim, me ç’ rast asamblistët e Kuvendit unanimisht aprovuan këtë rend dite.

Pika kryesore e rendit të ditës për këtë mbledhje ishte shqyrtimi i draft- Buxhetit Komunal për vitin 2023 dhe parashikimet për vitet 2024-2025, ku në fjalën e saj, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, ka sqaruar para asamblistëve mënyrën e hartimit të buxhetit, procedurat e ndjekura të parapara me ligj dhe prioritetet e parapara në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

Me këtë rast, drejtoresha Islami ka njoftuar se Buxheti i Komunës së Mitrovicës për vitin 2023 planifikohet të jetë 25, 011,350.00 euro, ku burimet e fondit të buxhetit janë granti i përgjithshëm 9, 725,479.00, granti i arsimit 8,522,968.00, granti i shëndetësisë 2,739,643.00, financimi i teatrove 169,890.00, shërbimet rezidenciale 180,000.00, si dhe të hyrat vetanake 3,673,370.00 euro.

Pas diskutimeve të shumta asamblistët e Kuvendit Komunal aprovuan me shumicë votash Buxhetin e Komunës së Mitrovicës për vitin 2023.

Gjithashtu në këtë mbledhje u miratuan edhe këto dy pika të rendit të ditës; Propozim-vendim për subvencionim të familjeve raste sociale në Komunën e Mitrovicës dhe Propozim-vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Kuvendit të Komunës Nr. 02-060/01-0080684/22-3 dt. 31.08.2022 për subvencionim të fermerëve.