Lajme

Kryetari Hamza viziton minatorët në shënimin e manifestimit “Java e Minatorëve”

  • 21/02/2022
  • By RTV Mitrovica
Share
Kryetari Hamza viziton minatorët në shënimin e manifestimit “Java e Minatorëve”
Sot, në Stanë Tërg të Mitrovicës, respektivisht në oborrin e minierës “Trepça”, është hapur manifestimi “Java e Minatorëve”, kushtuar grevës së lavdishme të minatorëve të Trepçës, të vitit 1989.
Në shënim të kësaj ngjarje, të një rëndësie të veçantë dhe peshë të madhe, jo vetëm për Mitrovicën por për tërë Kosovën, kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me bashkëpunëtor ka qëndruar për vizitë në minierën e Trepçës, ku është pritur nga minatorët.
Gjatë kësaj vizite kryetari Hamza ka falënderuar të gjithë minatorët, të cilët me sakrificën e tyre të bërë 33 vite më parë, u bënë edhe pjesë e historisë së Kosovës.
“Greva e minatorëve e vitit 1989 ishte një ngjarje e cila kishte tronditur tërë botën, ku minatorët e Trepçës me sakrificën e tyre iniciuan edhe hapa të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë. Duke qenë edhe vet pjesë e dikurshme e gjigandit industrial me të cilin krenohej Kosova anë e kënd botës, sot fatkeqësisht Trepça po kalon në një situatë të vështirë, andaj është përgjegjësi dhe obligim institucional që t’i kthehet potenciali dhe hapësira e plotë zhvillimore kompleksit industrial Trepça”, ka thënë kryetari Hamza.