Lajme

Kryetari Hamza pret në takim kryeministrin Kurti

  • 22/01/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Kryetari Hamza pret në takim kryeministrin Kurti

Kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, z. Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, të cilët i ka njoftuar me situatën emergjente të krijuar në qytetin e Mitrovicës, pas vërshimeve dhe përmbytjeve të mëdha që kapluan qytetin tonë.

Nga kryetari Hamza është potencuar se fillimisht është bërë një mobilizim i të gjithë akterëve relevant komunal përmes Qendrës Operative Emergjente Lokale për menaxhimin e vërshimeve, të cilët janë duke e monitoruar gjendjen në çdo cep të Komunës së Mitrovicës.

“Me tërë kapacitetet komunale jemi duke iu përgjigjur situatës emergjente në terren. Fatmirësisht humbje të njerëzve nuk kemi pasur, ndërkohë është bërë edhe evakuimi i shumë familjeve, të cilët janë mbështetur me pako ushqimore, veshmbathje dhe strehim. Tani jemi në fazën e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve, ku si rrjedhojë e gjendjes, dëmet parashihen të jenë jashtëzakonisht të mëdha jo vetëm në ekonomitë familjare por edhe në biznese, infrastrukturë e bujqësi”, theksoj kryetari Hamza.

Po ashtu kryetari Hamza ka shtuar se krahas përkrahjes komunale, në një gjendje të tillë nuk duhet munguar edhe mbështetja nga institucionet e nivelit qendror.

Ndërsa, nga kryeministri z. Albin Kurti, është thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do të qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime për t’i ndihmuar e mbështetur ata.

Kryetari z. Hamza dhe kryeministri z. Kurti kanë vizituar fshatin Lisicë, lagjen “2 Korriku” dhe Liqenin Akumulues, lokalitete këto të prekura nga vërshimet në Mitrovicë.