Lajme

Komuna kërkon mbështetjen e MINT-së për zonën ekonomike në Mitrovicë

  • 09/02/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Igballe Islami, si dhe drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Artan Berisha, kanë pritur të enjten në takim përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Armend Vehapi dhe Avdi Krasniqi, nga Sektori për Zhvillimin e Zonave Ekonomike.

Gjatë këtij takimi i cili ishte i karakterit njoftues është biseduar lidhur me gjendjen aktuale në Zonën e Lirë Ekonomike në fshatin Frashër, përkitazi me benefitet që sjellë Zona e Lirë Ekonomike për investitorët potencial vendor dhe të huaj, në mënyrë që të tërheqin sa më shumë investitorë.

Me këtë rast, drejtoresha Islami ka potencuar se qeverisja lokale është e përkushtuar në rregullimin e infrastrukturës në zonën e lirë ekonomike, të ofrohen lehtësira dhe mundësi të reja në zgjerimin e mëtejme të bizneseve si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Drejtoresha Islami së bashku me drejtorin Berisha si dhe përfaqësuesit e MINT-së, kanë realizuar edhe një vizitë në Parkun e Biznesit, ku janë pritur nga Drejtoresha e Agjensionit për Zhvillim Rajonal Veri (AZHRV), Rreze Duli, me të cilën janë dakorduar që në vazhdim të mbahen takime edhe me Bordin e Parkut të Biznesit, në mënyrë që të identifikohen sfidat aktuale dhe mundësitë për rritjen e investimeve në të ardhmen.