Lajme
Komuna furnizon QKMF-në e Mitrovicës me material mjekësor stomatologjik
- 08/04/2022
- By RTV Mitrovica
“Pas një kohe të gjatë të mungesës së materialit të nevojshëm për punë, Sektori i Shëndetit Oral i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” të Mitrovicës është furnizuar me një kontingjent me material mjekësor stomatologjik në vlerë prej 13,000.00 euro, të financuara nga buxheti komunal i destinuar për QKMF-në,” thuhet në një njoftim të komunës.
Sektori i Shëndetit Oral kishte mbetur i vetmi sektor pa furnizim me medikamente dhe materiale mjekësore të nevojshme për punë, derisa furnizimi i të gjithë sektorëve të tjerë të QKMF-së ka filluar me herët dhe tanimë është normalizuar plotësisht.
Kjo vonesë sipas Drejtorisë së Shëndetësisë ka ndodhur për shkak të procedurave të stërzgjatura ankimore, si pasojë e mungesës së bordit të OSHP-së, në nivelin qendror.
Drejtoria e Shëndetësisë njofton se prej javës së ardhshme qytetarët do të mund të marrin shërbimet e nevojshme stomatologjike, që ofrohen në Sektorin e Shëndetit Oral në QKMF dhe QMF-të e AMF-të që ofrojnë shërbimet stomatologjike ( Iliridë, Vaganicë, Bajr 2, Shipol, Tunel i Parë, Gushac dhe Bare).
Drejtori I Shëndetësisë në komunë Fahri Shabani ka thënë se përveç furnizimit me materiale mjekësore, janë duke punuar intensivisht në procesin e shpalljes së konkursit për punësim të specialistëve, mjekëve, infermierëve dhe profileve të tjera të punëtoreve shëndetësor për të plotësuar mungesën e madhe të kuadrit mjekësor në QKMF, QMF-të dhe AMF-të e Kujdesit Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës.