Lajme
Komuna e Mitrovicës: U mbajt mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve
- 09/08/2021
- By RTV Mitrovica
Nën kryesimin e nënkryetarit të komunës, Faruk Mujka, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.
Në këtë mbledhje, drejtori i Financave, Shukri Gashi, njoftoj ekzekutivin lidhur me hartimin e planit final për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2020.
Ndërsa, drejtori për Bujqësi dhe Zhvilim Rural. Ekrem Sadiku, njoftoj drejtorët komunal lidhur me projektet të cilat janë në realizim e sipër në këtë drejtori.
“Komuna e Mitrovicës së bashku me IADK-në dhe në mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë do të mbajnë trajnime profesionale për aftësim profesional për 45 punëkërkues, ku 15 fermerë kanë mundësinë të mbështeten financiarisht me grante në vlerë €3,000 euro (vetëpunësim) dhe €5,000 euro (start-up). Po ashtu projekti për hapjen e puseve në bashkëpunim me organizatën “Chatar Charity”, ku sipas këtij projekti do të hapen afër 50 puse”, ka theksuar drejtori Sadiku.
Ai më tutje ka potencuar se është në përfundim e sipër dhe raporti i komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, ku janë mese 100 fermerë të cilët Ministria e Bujqësisë do ti kompensojë me 30 % të vlerës së dëmeve.
Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, ka bërë të ditur se ditët e fundit është shënuar një rritje e rasteve e të infektuarve me virusin Covid-19, duke theksuar se aktualisht janë 60 raste aktive, kurse nga gjithsej 25.000 doza të vaksinave që janë dhënë deri më tani, vetëm gjatë muajit korrik janë vaksinuar 10.500 qytetarë.
Me këtë rast, drejtoresha Barani apelon tek të gjithë qytetarët që të lajmërohen për regjistrim në qendrën e vaksinimit apo edhe përmes adresës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe ti nënshtrohen procesit të vaksinimit.
Gjithashtu Bordi diskutoi edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.