Lajme

Komuna e Mitrovicës organizon tryezën “Zhvillimi i turizmit kulturor si formë e kontributit në rritjen lokale ekonomike të vendbanimeve”

  • 01/05/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Komuna e Mitrovicës organizon tryezën “Zhvillimi i turizmit kulturor si formë e kontributit në rritjen lokale ekonomike të vendbanimeve”

Gjatë ditës së sotme Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës e financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur tryezën me temën ” Zhvillimi i turizmit kulturor si formë e kontributit në rritjen lokale ekonomike të vendbanimeve”, në fshatin Bajgorë.

Në këtë tryezë diskutimi të pranishëm ishin drejtori i drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, z. Elvis Feka, kryetari i OHTK-së, z. Hysen Sogojeva, kryetari i Njësisë Rajonale të OHTK-së në Mitrovicë, z. Naim Sylejmani, drejtor i Departamentit të Hotelerisë dhe Gastronomisë ne OHTK, z. Sadik Maqedonci, profesor, z. Pajazit Hajzeri, eksperte e fushës, znj. Gentiana Gashi, përfaqësuese e OJQ-së “Mundësia”, znj. Afërdita Tahiri, ndërmarrëse, znj. Klesta Krasniqi dhe përfaqësues të bizneseve dhe organizatave.

Drejtori Feka në fjalën e tij, përshëndeti të gjithë të pranishmit duke i falenderuar për kontributin e vazhdueshëm që japin në zhvillimin ekonomik e kulturor të qytetit të Mitrovicës.

“Shala e Bajgorës është një aset i rëndësishëm turisik i cili gërsheton vlerat e turizmit kulturor, sportiv dhe turizmit shëndetësor si rezultat i bukurive natyrore, lartësisë mbidetare dhe historikut të bujshëm kulturor. Ne si komunë, jemi të gatshëm të japim mbështetje për bizneset ekzistuese ndërmarrëse dhe ato “startup” kryesisht që janë të fokusuara në turizmin social dhe rural” është shprehur drejtori Feka.

Në kuadër të kësaj tryeze, është hapur Panairi i Produkteve Turistike në Shalën e Bajgorës.