Lajme
Komuna e Mitrovicës organizon aktivitet simbolik në muajin kundër kancerit të gjirit
- 08/10/2021
- By RTV Mitrovica
Në kuadër të muajit Tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me QKMF-në “Dr. Nexhat Çuni”, si dhe Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, organizuan aktivitet simbolik për vetëdijesimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje e cila është shumë aktuale në vendin tonë.Ky aktivitet është mbajtur sot në ambientet e Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë, ku ky takim ishte i karakterit informues dhe vetëdijesues, me qëllim të parandalimit dhe diagnostifikimit të hershëm të kësaj sëmundje. Këtij takimi iu bashkangjit edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani dhe drejtori i shkollës së mjekësisë, Gani Rama, të cilët u mirëpritën nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Në fjalën e tij kryetari Bahtiri tha se Komuna e Mitrovicës vite me radhë ka organizuar ligjërata vetëdijësuese për sëmundje të ndryshme, me theks të veçantë për sëmundjen e kancerit të gjirit, si një sëmundje e cila po merr hov çdo ditë e më shumë, andaj është shumë e rëndësishme që të kemi një shëndet të mirë të gruas.
Ndërsa, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, theksoi se interesimi i madh për pjesëmarrje dhe informim tregon vetëdijesimin e krijuar nga qytetarët e komunës sonë, dhe se zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ndihmon në trajtimin më të lehtë.
Në fund të këtij takimi është mbajtur ligjërate edhe nga Dr. Sanije Nimoni Klinaku, Specialiste e Mjekësisë Familjare në QKMF, e cila ka dhënë disa këshilla për të pranishmit rreth parandalimit dhe diagnostifikimit të kancerit të gjirit.