Lajme
Komuna e Mitrovicës ndan 75 bursa për studentë
- 22/06/2022
- By RTV Mitrovica
75 studentë mitrovicas nënshkruan kontratat për marrjen e bursës komunale.
Nënkryetari i komunës Arian Tahiri i cili ua shpërndau kontratat tha se është një moment gëzimi për ta dhe familjet e tyre për rezultatet dhe sukseset e arritura, duke i inkurajuar ata që të punojnë maksimalisht, të kenë qasje pozitive dhe të jenë vizionar në kuptimin që secilën sfidë që jeta ua sjell t’i dalin në ballë me sukses dhe të besojnë në suksesin e tyre.
Tahiri shtoi se Komuna e Mitrovicës është munduar që brenda mundësive buxhetore të jap mbështetje për studentët të cilët tregojnë rezultate të mira gjatë studimeve, mbështetje kjo e cila nuk është e mjaftueshme për atë që e meritojnë, por është më shumë simbolike në mënyrë që të kenë motivim për zhvillimin e tyre personal dhe akademik.
“Komuna do të investoj në vajzat dhe djemtë më të suksesshëm që me përformancat e tyre më të mira në arsim kur ti mbarojnë studimet të japin kontributin në fushat përkatëse. Ajo se çka duhet të keni parasysh dhe të kultivoni në mendjen dhe idetë e juaja është që ta duani qytetin dhe njerëzit, sepse përgjegjësia na takon neve si gjeneratë e re, që të avancojmë dhe të transformojmë qytetin tonë në një qytet me vlera evropiane”, është shprehur ndër të tjerash nënkryetari Tahiri.
Ndërsa drejtori i Administratës, Gëzim Stavileci, ka theksuar se komuna e Mitrovicës ka shënuar rritje prej 50 % në ndarjen e bursave për studentë, dhe përveç këtyre 75 studentëve që kanë përfituar bursë komunale, iu është vazhduar bursa edhe 35 studentëve nga kontratat e vitit të kaluar, ku gjithsej janë shpërndarë 110 kontrata.