Lajme

Komuna e Mitrovicës formon tri komisione për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet

  • 21/01/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Pas dëmeve të konsiderueshme materiale të shkakturara nga vërshimet, Komuna e Mitrovicës ka formuar tri komisione AD- HOC për vlerësimin e këtyre dëmeve, bënë të ditur Komuna nëpërmjet një njoftimi.


“Një komision është formuar për të bërë vlerësimin e dëmeve tek ekonomitë familjare, komisioni tjetër për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara tek bizneset, si dhe komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë dhe bujqësi, me rastin e fatkeqësive natyrore- vërshimeve në Komunën e Mitrovicës,” thuhet në njoftim.

Anëtarët e komisioneve kanë dalë menjëhërë në vizitë tek të gjitha ato familje, biznese e qytetarë të cilët janë prekur nga vërshimet për t’iu dalë në ndihmë.

Pjesë e kësaj vizite ishte edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, z. Elvis Feka dhe drejtorët e drejtorive të tjera komunale.


Gjatë vizitave ata kanë rekomanduar secilin qytetarë, familje dhe subjekte afariste që kanë pësuar dëme nga vërshimet të drejtohen në komunë, qoftë me ndonjë dëshmi si fotografi, video- xhirim, në mënyrë që komuna t’i subvencionoj për dëmet e pësuara.

Ndryshe Mitrovica është ndër qytetet më të dëmtuara nga vërshimet e së enjtes. Dhjetra familje është dashur të evakuohen nga shtëpitë e tyre ndërkohë që problematike në këto momente mbetet edhe çështja e furnizimit me ujë. Ndonëse nga Ujësjellësi Mitrovica në mëngjesin e sotëm kanë njoftuar se ka filluar prodhimi në fabrikën e ujit në Shipol, furnizimi në qendër të qytetit dhe në disa lokalitete të tjera me të cilat ka kontaktuar Televizioni, nuk ka filluar ende.