Lajme

Komuna e Mitrovicës e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira për personat me aftësi të kufizuara

  • 03/06/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, ka pritur në takim Luljeta Ibishi Ferizi nga Divizioni për Avancimin e të Drejtave të Njeriut në Komuna, Sadete Demaj Kajtazi, nga Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit si dhe Shpresa Sheremeti nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, drejtori i Shëndetësisë, Fahri Shabani si dhe zyrtarja për barazi gjinore, Besa Veseli.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi në mes të Komunës së Mitrovicës, MAPL-së dhe MMPHI, lidhur me koordinimin aktiviteteve për vitin 2022, vit ky i shpallur për personat me aftësi të kufizuara.

Komuna e Mitrovicës është përzgjedhur në mesin e pesë komunave të Republikës së Kosovës, ku do të realizohen aktivitete për personat me aftësi të kufizuara, në kuadër të projektit ”Mundësi të barabarta për të gjithë”.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mënyrën e identifikimit të mungesës së qasjes fizike për personat me aftësi të kufizuara, ngritjen e vetëdijes, sigurimin e kritereve për ndërtimin e objekteve të reja për këta persona dhe bashkëpunimin ndërkomunal.

Me këtë rast, nënkryetari Tahiri ka nënvizuar se lidhur me personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të flasim vetëm gjatë vitit 2022, por si institucione duhet që në vazhdimësi të punojmë në krijimin e kushteve sa më të mira për këtë kategori të shoqërisë sonë.

Ndërsa, drejtorët komunal kanë shpalosur aktivitetet e deritanishme të ndërmarra në raport me personat me aftësi të kufizuara si dhe mbështetjen e dhënë ndaj organizatave të cilat merren edhe me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Në fund të këtij takimi, të pranishmit u dakorduan për themelimin e një komisioni gjithëpërfshirës ku do të identifikohen sfidat dhe vështirësitë më të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara.