Lajme
Komuna e Mitrovicës dhe organizata “Qatar Charity”do të forcojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen
- 26/01/2022
- By RTV Mitrovica
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga nënkryetari Arian Tahiri dhe drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu, kanë pritur në takim përfaqësuesit e organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity”, z. Mushaal Al Hajeri, përgjegjës i projekteve për Rajonin e Ballkanit si dhe drejtorin e përgjithshëm të kësaj organizate për Kosovë, z.Esam Abdelaziz Dabab.
Kryetari Hamza ka falënderuar përfaqësuesit e “Qatar Charity” për mbështetjen e tyre ndaj Komunës së Mitrovicës, duke sjellë projekte madhore në sektorë të ndryshëm, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve.
“Projektet nga organizata juaj janë të mirëpritura nga ana e komunës sepse ofrojnë lehtësi si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social, dhe i atribuohen qytetarëve të cilët jetojnë në kushte jo të mira ekonomike. Ne shpresojmë që bashkëpunimi ynë të shtrihet edhe në fusha të tjera”, tha kryetari Hamza.
Ndërsa, përgjegjësi i projekteve për Rajonin e Ballkanit nga organizata “Qatar Charity”, Mushaal Al Hajer, theksoi se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të ndihmojnë qytetarët e Mitrovicës, e tani e tutje me realizimin e projekteve të cilat nxisin zhvillimin ekonomik të qytetit.
Kryetari Hamza dhe përfaqësuesit e organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity”, kanë realizuar edhe një vizitë tek shtëpitë e ndërtuara në fshatin Frashër.
Vlen të theksohet se Komuna e Mitrovicës dhe “Qatar Charity”, janë në finalizimin e projektit ku janë ndërtuar 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, ndërtimit të një shkolle, një shtëpie të shëndetit, katër lokaleve afariste, një objekti të destinuar për shfrytëzim nga Organizata “Qatar Charity” si dhe të një xhamie.