Lajme
Komuna e Mitrovicës dhe FKEE nënshkruajnë marrëveshje për disa investime kapitale
- 04/02/2023
- By RTV Mitrovica
Kryetari i komunës, z.Bedri Hamza, sot ka pritur në takim drejtorin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, z.Ahmet Ismaili, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjet për investime kapitale në katër institucione publike komunale.
Objektet në të cilat do të investohet janë Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Shkolla Fillore “Skënderbeu” në Vaganicë, Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Bare dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Bajgorë.
Projektet e investimeve kapitale në objektet për të cilat është arritur marrëveshja përfshin renovimet e tërësishme të pjesës së jashtme, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve përkatëse në këto institucione, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për shërbimet e Energjisë Efiçiente.
Kryetari i komunës, z.Bedri Hamza u zotua që do të përkrah implementimin e këtyre projekteve në koordinim të vazhdueshëm me menaxhmentin e FKEE.
“Projektet prej 1.4 milionë eurove janë vlerë e shtuar e investimeve kapitale që do të realizohen gjatë vitit 2023 në Komunën e Mitrovicës”, është shprehur kryetari z.Hamza. Gjithashtu ai ka shprehur gatishmërinë e tij për vazhdimin e bashkëpunimit me FKEE edhe në të ardhmen.
Ndërsa drejtori i FKEE, z.Ahmet Ismaili, falënderoi kryetarin e komunës për bashkëpunimin e ofruar gjatë vitit 2022 dhe përkushtimin e tij në implementimin e projekteve në kuadër të Energjisë Efiçiente.