Lajme
Komuna e Mitrovicës bëhet pjesë e projektit “Çmimi Evropian për Ekselencë në Qeverisje në Kosovë”
- 06/04/2022
- By RTV Mitrovica
Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, ka marrë pjesë në lansimin e projektit “Çmimi Evropian për Ekselencë në Qeverisje në Kosovë”.
Ky projekt po zbatohet nga Asosacioni Evropian për Demokraci Lokale- ALDA në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, ndërsa akreditimi është marrë nga Këshilli i Evropës.
Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e komunave të Kosovës në përmirësimin e përformancës së tyre në ofrimin e shërbimeve të cilësisë së lartë në kuadër të një sistemi të përmirësuar të vetëqeverisjes lokale.
Për të fituar këtë çmim komunat pjesëmarrëse në këtë projekt do të kryejnë vetë vlerësimin, i cili përfshin një mënyrë të matjes dhe verifikimit të përputhshmërisë së secilës njësi të qeverisjes lokale me gjithsej 12 parimet e qeverisjes së mirë demokratike.
Parimet të cilat përfshihen në këtë vlerësim janë pjesëmarrje, përfaqësim dhe zhvillim i zgjedhjeve të drejta; përgjegjshmëri, efikasitet dhe efektivitet; hapje dhe transparencë; sundim i ligjit; sjellje etike; kompetencë dhe kapacitet; inovacion dhe hapje për ndryshim; qëndrueshmëri dhe orientim afatgjatë; menaxhim i shëndosh financiar; të drejtat e njeriut, diversiteti kulturor dhe kohezion shoqëror, si dhe llogaridhënie.
Vlen të potencohet se faza e implementimit të këtij projekti përfshin periudhën Prill- Korrik 2022, ndërsa vlerësimi dhe ndarja e çmimeve do të bëhet në muajt Gusht- Nëntor 2022.