Lajme
Komedia “Burri i gruas sime” hapi edicionin e dymbëdhjetë të Festivalit Tradicional të Komedisë në Mitrovicë
- 25/10/2022
- By RTV Mitrovica
Komedia “Burri i gruas sime” hapi edicionin e dymbëdhjetë të Festivalit Tradicional të Komedisë në Mitrovicë
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, për herë të dymbëdhjetë me radhë u hap Festivali Tradicional i Komedisë ku do të marrin pjesë trupa teatrale nga Presheva, Shkodra, Kumanova, Suhareka, Prizreni e Mitrovica.
Pjesëmarrës në këtë shfaqje ishte kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, dhe përfaqësues të institucioneve të tjera dhe artdashës të shumtë nga Mitrovica dhe më gjerë.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari Hamza, tha se ndihet i nderuar që është i pranishëm në hapje të festivalit të radhës së Komedisë, që po mbahet në qytetin e bukur të Mitrovicës.
“Unë me këtë rast dua të falënderoj organizatorët dhe artistët pjesëmarrës në festival, që gjatë gjashtë ditëve, sa do të zgjas festivali, do të na mundësojnë që së bashku të kalojmë mbrëmje të bukura me plotë humor e të qeshura”, ka thënë kryetari Hamza.
Natën e parë të festivalit e hapi Teatri i Qytetit nga Kumanova, me Komedinë “Burri i gruas sime”, të autorit Miro Gavran dhe në regji të Afërdita Nuhiji.
Festivali do zgjas gjashtë ditë dhe në të marrin pjesë trupat teatrore nga Presheva, Shkodra, Kumanova, Suhareka, Prizreni e Mitrovica.
Të gjitha shfaqjet fillojnë në ora 19:00, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë.