Lajme
“Java e Gruas 2022” shënohet edhe në Mitrovicë
- 27/05/2022
- By RTV Mitrovica
Në ambientet e Muzeut të qytetit të Mitrovicës, të enjten është mbajtur debati i dytë politik për të shënuar ‘Javën e Gruas 2022”, me temën “Në mbrojtje të demokracisë; Gjithëpërfshirja ka rëndësi”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).
Në këtë debat morën pjesë drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, drejtoresha e zyrës së NDI-së për Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, asamblistët, Erseka Hasanaj Barani dhe Muhamet Hoti, si dhe përfaqësues tjerë nga rajoni i Mitrovicës, nga Vushtrria dhe Skenderaj.
Qëllimi i këtij debati ishte diskutimi i politikave gjithëpërfshirëse mjedisore dhe përfaqësimi i grave në nivel lokal.
Ngjarjen e hapi ambasadorja znj. Soderberg, e cila tha se përmes këtyre debateve po bashkojmë pjesëmarrësit të cilët përfaqësojnë të gjitha komunat në Kosovë dhe akterët përkatës të pushtetit lokal për të adresuar shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen komunat.
“Ndërsa gratë kanë bërë përfitime mbresëlënëse në përfaqësimin në nivel lokal, ato vazhdojnë të përballen me një klimë të ashpër politike, si dhe me barriera të rëndësishme për angazhimin në procesin e politikë bërjes dhe legjislativit”, ka thënë në fjalën e saj ambasadorja znj. Soderberg.
Gjithashtu në këtë debat fjalën e mori edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, e cila potencoi se gjithëpërfshirja është parakusht për çdo sukses në çdo fushë dhe në çdo instancë të jetës.
“Ne si gra nëse dëshirojmë të arrijmë përfaqësim dinjitoz dhe të jemi në vendin ku e meritojmë edhe me përfaqësim të barabartë në gjithëpërfshirje duhet ta përkrahim njëra tjetrën. Ne po harrojmë që duke fuqizuar njëra tjetrën, ne e fuqizojmë vetveten”, tha ndër të tjerash drejtoresha Idrizi.