Lajme
Hamza priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së Szunyog
- 22/04/2022
- By RTV Mitrovica
Kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza ka pritur të premtën në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog
Në takim është diskutuar për gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, projektet në realizim e sipër dhe prioritet e pushtetit lokal, ku arsimi, shëndetësia, ambienti, kultura, rinia dhe sporti janë fushat që do të gëzojnë mbështetje maksimale nga qeverisja lokale.
Kryetari Hamza shprehu falënderimin dhe mirënjohjen ndaj z. Szunyog për përkrahjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i ka dhënë Kosovës ndër vite, në konsolidimin e institucioneve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Ndërsa shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog pasi përgëzoj kryetarin Hamza për zgjedhjen e tij në krye të Komunës së Mitrovicës konfirmoj ofrimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në realizimin e projekteve për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
Pas këtij takimi Hamza dhe Szunyog, kanë vizituar Parkun e Biznesit në Mitrovicë, respektivisht kompaninë “Vip Print”, për të identifikuar vështirësitë dhe kërkesat që kanë bizneset për përkrahje nga institucionet në të ardhmen.