Lajme
Hamza pret në takim fëmijët për “1 Qershor”
- 01/06/2022
- By RTV Mitrovica
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka pritur në takim Asamblenë Komunale të Fëmijëve në Mitrovicë dhe përfaqësues nga organizata “Save the Children”.
Veç drejtoreshës së Arsimit, Drita Kadriu, në takim ishin edhe drejtori i Administratës së Përgjithshme, Gëzim Stavileci, si dhe udhëheqësi i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Fitim Rama.
Kryetari Hamza duke bashkëbiseduar me fëmijët ka shprehur urimet më të mira për ta, duke uruar që të mësojnë sa më shumë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të realizojnë planet e tyre, por edhe të shpërblejnë mundin dhe sakrificën e prindërve për edukimin dhe kujdesin ndaj tyre.
“Kush thotë që ju jeni vetëm e ardhmja e vendit, mos i besoni dhe mos u pajtoni, ju jeni e tashmja dhe e ardhmja, jeni themeli i shtetit dhe duhet të bëni shumë më shumë se ne. Kemi nevojë t’ju ruajmë, të ju mbrojmë dhe të sigurojmë kushte më të mira për jetën tuaj. Duajeni vendin tuaj, besoni në vendin tuaj, investoni në vetvete, bëhuni të zot për vete dhe dilni zot këtij vendi”, u shpreh ndër tjerash kryetari Hamza.
Ndërsa fëmijët e pranishëm në këtë takim kanë pasur mundësinë që të prezantojnë të gjeturat e raportit “Zërat e Rinj” i cili është lansuar sot për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Me këtë rast ata kanë njoftuar kryetarin Hamza se ‘Zërat e Rinj’ është një anketë mbarëkombëtare e zhvilluar nga Save the Children, që reflekton ndjenjat dhe perspektivat e mbi 1200 fëmijëve në mbarë Kosovën për sigurinë, bullizmin, shëndetin mendor dhe pjesëmarrjen e tyre.
Pas përfundimit të takimit, asambleja komunale e fëmijëve së bashku me drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues nga “Save the Children” dhe përfaqësuesit e Grupit të udhëhequr nga fëmijët “Respect Our Rights-ROR, në Sallën e Kuvendit Komunal kanë prezantuar në detaje anketën “Zërat e Rinj” të lansuar sot për nder të 1 Qershorit.
Gjithashtu fëmijë të institucioneve të ndryshme parashkollore dhe shkollore të Komunës së Mitrovicës kanë zhvilluar aktivitete të shumta të shoqëruara me balet, këngë, valle, recitale dhe aktivitete të tjera në sheshin e qytetit.