Lajme

Hamza: Njëra prej rrugëve, shesheve ose objekteve sportive do ta mbajë emrin e legjendës Xhevdet Peci

  • 13/05/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

U kthye për të qëndruar përgjithmonë në fshatin e tij të lindjes.

Në Zhazhë të Zveqanit u varros të enjtën legjenda e boksit kosovar Xhevdet Peci.

Në nderim të figurës së tij, nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, të enjtën u mbajt edhe një akademi përkujtimore.

Në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë u mblodhën përfaqësues institucionesh, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë, miq, bashkëpunëtorë e qytetarë të shumtë.

Njëra nga rrugët, sheshet apo objektet sportive do ta mbajë emrin e Xhevdet Peci, u zotua kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, derisa shprehu ngushëllime për familjarët dhe sportdashësit për vdekjen e ish boksierit.

“Si kryetar i Mitrovicës zotohem se do të marr iniciativën që njëra prej rrugëve, shesheve ose objekteve sportive apo objekteve tjera do ta mbajë emrin e legjendës Xhevdet Peci”, është shprehur kryetari Hamza.

Mbledhjen përkujtimore për Xhevdet Pecin e përmbylli djali i tij, Ehad Peci duke shprehur falënderimet e tij ndaj të pranishmëve në sallë.

Xhevdet Peci vdiq të hënën më 9 Maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jetonte me familjen e tij