Lajme

Fillon ”Festivali i Komedisë MittrixFest” në Mitrovicë

  • 03/10/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Fillon “Festivali i Komedisë MittrixFest” në Mitrovicë

Edicioni i XIII-të i Festivalit Tradicional të Komedisë “MittrixFest” ka filluar mbrëmë në qytetin e Mitrovicës. Në këtë mbrëmje të pranishëm ishin, kryetari i komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, së bashku me zyrtarë komunalë dhe dashamirës të komedisë.

Festivalet po vazhdojnë të sjellin kulturën dhe argëtimin në qytetin e Mitrovicës, duke mbushur muajin Tetor me aktivitete të ndryshme. Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, në vijim të mbështetjes së saj të këtij festivali, ju fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme.

“Festivali “MittrixFest” është jo vetëm një manifestim i kulturës dhe humorit, por edhe një ftesë për të gjithë qytetarët që të ndihen pjesë e një komuniteti për kulturën dhe artin. Kjo ngjarje është një shembull i fuqishëm rreth vlerave të bukura të qeshjes dhe frymëzimit.” është shprehur kryetari z. Hamza.

Përveç shfaqjeve të komedive që do të ofrohen gjatë festivalit, pjesa tjetër e programit përfshin një ekspozitë të pikturave të realizuara nga fëmijë me autizëm, pesë vizita turistike për të promovuar bukuritë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit dhe pesë punëtori të udhëhequra nga profesionistë të fushës së teatrit.

Këto aktivitete do të zhvillohen çdo natë nga data 2 deri më 8 tetor 2023, në ora 19:30 në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë.