Lajme
Filloi “Java e teknologjisë në shkolla” në Komunën e Mitrovicës
- 24/04/2023
- By RTV Mitrovica
Filloi “Java e teknologjisë në shkolla” në Komunën e Mitrovicës
Drejtoresha e Arsimit, znj. Drita Kadriu, bëri hapjen e “Java e teknologjisë në shkolla”, në SHFMU “Musa Hoti”, e cila ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit e TIK dhe i përgëzoi për përkushtimin e ngritjen në agjendë të TIK në mësimdhënie.
DKA dhe aktivi profesional i mësimdhënësve të TIK të udhëhequr nga arsimtarja znj. Anduena Jusufi, në bashkëpunim me organizatat KCDE dhe BONEVET po realizojnë një mori aktivitete si mbajtja e orëve mësimore nga të gjitha lëndët, fushat dhe nivelet kurrikulare duke përdorur pajisje dhe teknologji të ndryshme, tryeza diskutimi rreth rolit të TIK-ut në mësimdhënie si dhe organizimin e ditës së vajzave në TIK.
Gjatë hapjes zyrtare të javës në SHFMU “Musa Hoti” ku morën pjesë edhe nxënësit e shkollave “Eqrem Çabej”, “Shemsi Ahmeti”,“Shaban Idrizi”, dhe “Abdullah Shabani”, u prezantuan aftësitë e nxënësve në robotikë, në qarkun elektrik, punime të formuar me mikrobit, programimi i lëvizjes së robotëve e të tjera. U monitoruan disa orë mësimore sipas planit të kërkuar nga DKA.
Po ashtu, u vizituan grupi i nxënësve në parashkollorë me edukatoren Lule Morina, klasa e pestë e mësueses znj. Ferdane Haxhimehmeti, ora e biologjisë te arsimtarja znj. Azize Selmani si dhe ora e muzikës te arsimtarja znj. Arbenita Pestova.
Gjithashtu u vizituan nxënësit e shkollës së mesme ekonomike të cilët së bashku me mësimdhënësit e tyre shfaqën aftësitë e tyre teknologjike në garën e diturisë.
Aktivi profesional i mësimdhënësve të TIK u zotua për organizimin e panairit të madh të teknologjisë për shkolla.
Këto aktivitete ndikojnë në angazhimin e nxënësve si dhe orientimin në karrierë duke zgjedhur profesione që lidhen me treg të punës.