Arkiv

Është hapur Panairi i Punës për vitin 2022 në Mitrovicë

  • 27/10/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Është hapur Panairi i Punës për vitin 2022 në Mitrovicë

Në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” sot është hapur Panairi i Punës- Mitrovica 2022, organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Në këtë panair janë prezantuar 182 vende të lira të punës nga gjithsej 20 biznese që operojnë në Komunën e Mitrovicës.

Me rastin e ceremonisë së hapjes së Panairit të Punës morën pjesë kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Vesa Broja, zv. drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, znj. Jehona Rexha, përfaqësuesja nga Gizi Kosova, znj. Vjosa Mullatahiri, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të bizneseve, si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Hapjen e këtij panairi e bëri kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili tha se Panairi i Punës në Mitrovicë po shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për promovimin e punësimit, ku në këtë mënyrë po tregohet edhe bashkëpunimi i ngushtë që kanë me bizneset e qytetit për zhvillimin ekonomik lokal.

“Po e hapim këtë Panair Pune në Mitrovicë në të cilin po promovohen 182 pozita të lira, 182 mundësi reale punësimi dhe mbi të gjitha po promovojmë një ambient të mirë të të bërit biznes, duke treguar zgjerimin e kompanive vendore dhe rritjen e kapaciteteve të punësimit”, ka thënë ndër të tjerash kryetari z. Hamza.

Ai po ashtu theksoi se përmes këtij eventi po krijohet një urë lidhëse në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve si një mundësi reale për të filluar një karrierë të suksesshme në njërën nga kompanitë liderë të cilat janë pjesëmarrëse në këtë panair.

Vlen të potencohet se gjatë panairit kompanitë apo organizatat gjithashtu mund të intervistojnë dhe vlerësojnë kandidatët potencial për punë apo praktikë në punë.