Lajme
“Epopeja e UÇK-së” – Kuvendi Komunal i Mitrovicës mban seancë solemne
- 05/03/2022
- By RTV Mitrovica
Me rastin e shënimit të ditëve të lavdishme të “Epopesë së UÇK-së”, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, sipas agjendës shtetërore dhe sipas traditës, ka mbajtur mbledhjen solemne.
Për luftën e lavdishme të UÇK-së, heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, folën i pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, kryesuesja e KK-së,Vesa Broja si dhe shefat e grupeve të këshilltarve të kuvendit komunal.
Hamza theksoi se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars në Kullën e Jasharëve, përbën një kapitull të veçantë në historinë e Kosovës dhe të Evropës.
“Qytetarët e Kosovës, tash e 23 vite jetojnë në Kosovën e lirë, kurse tash e 14 vite edhe në Kosovën tonë të pavarur. Për këtë meritën kryesore ka familja emblematike e Shaban, Hamzë dhe Adem Jasharit”, është shprehur kryetari Hamza.
Më tutje kryetari Hamza ka shtuar se familja Jashari, me sakrificën e saj të pashembullt, i ka rezervuar vetës një vend të veçantë në historinë kombëtare.
Ndërsa, kryesuesja e KK-së, Vesa Broja, tha se rënie heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, e familjes së tij dhe e të gjithë dëshmorëve të tjerë, bëri që Kosova të hap rrugët e saj drejt shtigjeve të lirisë, e për këtë në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur edhe monumenti më i madh historik i luftës, si simbol i rezistencës dhe sakrificës për liri e pavarësi të vendit tonë.