Lajme
Epopeja e UÇK-së: Kuvendi Komunal i Mitrovicës mban seancë solemne
- 05/03/2025
- By RTV Mitrovica

Me rastin e shënimit të ditëve të lavdishme të “Epopesë së UÇK-së”, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, sipas agjendës shtetërore dhe sipas traditës, ka mbajtur mbledhjen solemne.
Në këtë mbledhje të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga FSK-ja, Policia e Kosovës, Bashkësia Islame, Shoqatat e Dala nga Lufta.

Për luftën e lavdishme të UÇK-së, heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, folën i pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, si dhe përfaqësues të subjekteve politike të kuvendit komunal.
Në fjalën e tij, kryetari Hamza theksoi se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 5, 6 dhe 7 mars në Kullën e Jasharëve, përbën një kapitull të veçantë në historinë e Kosovës dhe të Evropës.
“Sot është përvjetori i 27- të i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga sot, me krenari i kujtojmë ditët e lavdisë, ditët e heroizmit të madh të komandantit legjendar Adem Jashari, kryeheroit tonë, ditët e sakrificës së madhe të Jasharëve për lirin e vendit”, është shprehur kryetari Hamza.

Më tutje kryetari Hamza ka shtuar se Epopeja e UÇK-së i dha fund epokës së robërisë dhe solli epokën e lirisë, duke shtuar tutje se tash është koha për epokën e zhvillimit, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe integrimin euroatlantik.
Për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, folën edhe Fisnik Krasniqi nga subjekti politik i PDK-së, Kushtrim Zeneli nga VV si dhe Flutura Kamberi nga LDK.