Lajme
Drejtoria për Shëndetësi aktivizon Shërbimin e Stomatologjisë së Fëmijëve në QKMF
- 02/06/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtoria për Shëndetësi aktivizon Shërbimin e Stomatologjisë së Fëmijëve në QKMF
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, konkretisht në sektorin e Shëndetit Oral dje është aktivizuar Shërbimi i Stomatologjisë së Fëmijëve.
Qëllimi i aktivizimit të këtij shërbimi është që tash e tutje fëmijët në Sektorin e Shëndetit Oral në QKMF të marrin shërbimet shëndetësore specialistike nga ana e specialistëve të stomatologjisë së fëmijëve dhe preventives.
Drejtoria për Shëndetësi ka njoftuar se në kuadër të këtij shërbimi do të punojnë tre specialistë të stomatologjisë së fëmijëve dhe tre asistentë të stomatologjisë, kurse është paraparë që ky numër të rritet në të ardhmen.
Drejtoria për Shëndetësi si pjesë të rëndësishme të planit të punës e ka edhe riorganizimin dhe reformimin e Sektorit të Shëndetit Oral në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe aktivizimi i Shërbimit të Stomatologjisë së Fëmijëve është hap konkret në këtë drejtim.
Funksionalizimi i këtij shërbimi u bë me 1 Qershor në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku është vizituar nga përfaqësuesit e Asamblesë së Fëmijëve të Komunës së Mitrovicës, të cilët janë pritur nga drejtori për Shëndetësi, Fahri Shabani, menaxhmenti i QKMF-së, stomatologët dhe stafi tjetër i Sektorit të Shëndetit Oral të QKMF-së.