Lajme

Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë mbajti takim me drejtorët e shkollave

  • 06/04/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë mbajti takim me drejtorët e shkollave

Drejtoria Komunale e Arsimit gjatë ditës së sotme mbajti mbledhjen e aktivit të drejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore të Mitrovicës.

Këtë mbledhje e kryesori drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, e cila fillimisht ka përshëndetur drejtorët e shkollave për pjesëmarrjen e tyre në këtë takim për ti përgëzuar më pas edhe për punën e tyre të palodhshme në ngritjen e cilësisë së arsimit në Mitrovicë.

Më tutje drejtoresha znj. Kadriu, ka prezantuar rendin e ditës e ku u diskutua përkitazi me raportin përmbledhës të suksesit të gjysmëvjetorit të parë të vitit 2022/23, kalueshmëria sipas niveleve, ditët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekti për kontrollimin mjekësor të nxënësve, raporti për vlerësimin “rapid” të shkollave si dhe pilotimi i aplikimit për regjistrim të nxënësve në shkolla të mesme të larta përmes platformës “e-shkollori”.

Lidhur me pikën e rendit të ditës projekti për kontrollimin mjekësor të nxënësve, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, z. Fahri Shabani, njoftoi drejtorët e shkollave lidhur me realizimin e këtij projekti i cili synon zbulimin e hershëm të ndonjë anomalie shëndetësore për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore të Komunës së Mitrovicës.

Ai më tutje ka shtuar se projekti do të realizohet fillimisht në shkollat e mesme për të vazhduar më pas edhe me shkollat e tjera të qytetit.

“Ekipet shëndetësore do të bëjnë matjen e 33 parametrave shëndetësor tek nxënësit ku si drejtori kemi ngritur 5 ekipe të cilat do të shërbejnë në teren ndërsa të përfshirë janë edhe 50 punëtorë tjerë shëndetësor të cilët do të sigurojnë informata për shëndetin e fëmijëve tanë” theksoi drejtori Shabani.

Drejtorët e shkollave së bashku me përfaqësuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit kanë shqyrtuar pikat e tjera të rendit të ditës por është diskutuar edhe për tema të tjera të cilat kanë të bëjnë me proceset edukativo-arsimore.