Lajme
Drejtoria e Shëndetësisë viziton Mjekësinë Familjare në Bistricë
- 31/01/2023
- By RTV Mitrovica
Drejtoria e Shëndetësisë viziton Mjekësinë Familjare në Bistricë
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, bashkë me zyrtarët e Komunës së Mitrovicës, z. Berat Jashari dhe z. Valon Hetemi sot kanë vizituar Ambulancën e Mjekësisë Familjare në Bistricë dhe janë takuar me përfaqësuesit e banorëve të fshatit rreth ofrimit të shërbimeve shëndetësore në këtë ambulancë.
Për shkak të rrethanave të krijuara në komunat veriore të Kosovës, Drejtoria për Shëndetësi po dërgon ekipe mjekësore nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” në Ambulancat e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Minatorëve, Komuna e Mitrovicës Veriore, në fshatin Çabër, Komuna e Zubin Potokut, Zhazhë dhe Lipë, Komuna e Zveçanit kurse prej të hënës ekipi mjekësor i QKMF-së do të ofrojë shërbime shëndetësore edhe në fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë në Komunën e Leposaviqit.
Drejtori z. Shabani deklaroi se përveç me shërbime shëndetësore këto ambulanca do të mbështeten edhe me barna nga Lista Esenciale dhe me të gjitha shërbimet që ofrohen nga Kujdesi Parësor Shëndetësor, deri në stabilizimin e situatës dhe funksionimit të pushtetit lokal në këto komuna, në mënyrë që banorët e këtyre viseve mos të mbesin pa shërbime shëndetësore.