Lajme
Drejtori Maxhuni vizitoi Qendrën Operative Emergjente Rajonale në Mitrovicë
- 12/01/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni, ka vizituar të mërkurën Qendrën Operative Emergjente Rajonale (QOER), ku është pritur nga koordinatori i kësaj qendre, Xhevdet Smakiqi.
Në këtë takim është biseduar për mundësit e rritjes së bashkëpunimit të komunës me QOER.
Koordinatori i kësaj qendre, z.Smakiqi, theksoi se qytetarët në përgjithësi janë në dijeni për funksionimin e kësaj qendre, e cila thirrjet e tyre i pranon në çdo kohë, mandej i verifikon, i specifikon dhe me tutje koordinohet me institucionet përkatëse varësisht prej natyrës së rastit.
“Numri 112 është numër unik emergjent falas, ky numër është në shërbim të qytetarëve non-stop, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Qytetarët mund të telefonojnë në rastet kur nevojitet ndihma emergjente mjekësore, ndihma në fikjen e zjarreve dhe shpëtimin e personave të rrezikuar si dhe shërbimet e Policisë së Kosovës”, shtoj koordinatori Smakiqi.
Ndërsa, drejtori i DMSH-së, z. Maxhuni, ka thënë se komuna do të ofroj ndihmë në kuadër të mundësive që ka, përkundër asaj se kjo qendër funksionon në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).