Lajme
Drejtoresha Kadriu takoi koordinatorët e cilësisë së SHFMU dhe SHML
- 13/12/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtoresha Kadriu takoi koordinatorët e cilësisë së SHFMU dhe SHML
Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, znj. Drita Kadriu, ka mbajtur një takim me koordinatorët e cilësisë së shkollave të mesme të ulëta dhe të larta të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë takim është diskutuar lidhur me funksionalizimin e mekanizmave të cilësisë në raport me treguesit e përformancës së shkollave të përcaktuar nga MAShT-i, duke krijuar agjendë të qartë dhe përkushtim për përmirësimin e praktikave të cilësisë, në të mirë të nxënësve për zotërimin e kompetencave kryesore dhe realizimin e potencialit të tyre.
Me këtë rast janë përmendur fushat e cilësisë së përformancës së shkollës si; Menaxhimi dhe qeverisja, Kultura dhe mjedisi shkollor, Mësimdhënia dhe nxënia, Zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe Përformanca e nxënësve si shtylla organizative për menaxhim të shkollës, vlerësim, vetëvlerësim, planifikim dhe intervenim përmirësues.
Gjatë këtij takimi në fjalën e saj, drejtoresha znj. Kadriu ka thënë se për një përformancë efektive dhe cilësore çdo shkollë duhet të ketë një vizion të qartë, të ndërtuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, i cili reflekton nevojat specifike të nxënësve të saj dhe lokalitetit ku vepron.
“Synimet tona të përbashkëta për funksionalizimin e mekanizmave të cilësisë lidhen ngushtë me dashurinë për punën. Andaj me vetëvlerësime, vlerësimet e brendshme dhe të jashtme të dëshmojmë se cilësia e arsimit rrinë në duart tuaja, në duar të sigurta”, është shprehur ndër tjerash drejtoresha znj. Kadriu.