Lajme
Dita e Pavarësisë në Mitrovicë
- 18/02/2024
- By RTV Mitrovica

Dita e Pavarësisë së Kosovës në Mitrovicë nisi me vizitën e një delegacioni nga qyteti i Vlorës.
Kryebashkiaku vlonjat Ermal Dredha bashkë me anëtarë tjerë të delegacionit fillimisht u pritën në takim tek kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.
Më pas Asambleja Komunale në Mitrovicë mbajti seancë të jashtëzakonshme ku kryesuasja e Vesa Broja e hapi seancën me një fjalë rasti.
I dyti që mori fjalën në këtë seancë solemne ishte edhe kryetari Bedri Hamza. Nën emocione ai rikujtoi fjalët e ish kryeministrit e më pas presidentit të Kosovës Hashim Thaqi “Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Asambleistëve e mysafirëve të shumtë të pranishëm në sallën e mbledhjeve të kuvendit komunal padyshim, me një fjalë rasti do t’i drejtohej edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës z.Dredha, e më pas edhe përfaqësuesit e partive në asamble.
Pas përfundimit të seancës, drejtuesit komunal shoqëruar me delegacionin vlonjat dhe me përfaqësues së organizatave të dala nga lufta e UÇK-së morën rrugën për te varrezat e dëshmorëve në Shipol. Aty u vendosën kurora lulesh e u bënë homazhe tek varret e dëshmorëve.
Nderimi për dëshmorët do të vazhdonte me vizitën në Prekaz, për të kujtuar veprën dhe sakrificën e familjes Jashari.
Zbulimi i shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari padyshim ishte ngjarja më e rëndësishme që Komuna e Mitrovicës kishte përgatitur në shënim të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në ceremoninë e zbulimit të kësaj shtatoreje përveç drejtuesve komunal, figurave të shumta publike të qytetit e qindra qytetarëve, morën pjesë edhe vetë anëtarët e familjes Jashari.
“Sot në zemër të qytetit të Mitrovicës po inaugurohet shtatorja e kryeheroit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shtatorja e komandantit Adem Jashari” tha i pari i Mitrovicës Bedri Hamza, derisa kujtoi sakrificën për liri të familjes Jashari.
“Sakrifica e familjes Jashari simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Sakrifica e kësaj familje në krye me komandantin, Adem Jashari vuri historinë në lëvizje në dy drejtime. Në rrafshin kombëtar me shkallën më të lartë të trimërisë dhe guximit ndikoi rrënjësisht në rritjen dhe masovizimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në rrafshin ndërkombëtar me çmimin e lartë të sakrificës, familja Jashari vuri në lëvizje mekanizmin e diplomacisë botërore grupin e kontaktit dhe kryeqytetet e botës demokratike”, tha Hamza.
“Përkulemi para gjakut të dëshmorëve dhe shprehim mirënjohje të thellë për aleatët e lirisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, shtoi Hamza. Ai nuk la pa përmendur edhe krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
“Sot kur Kosova feston 16 vjet pavarësi dhe gëzon një çerek shekulli liri, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerë po ballafaqohen më një proces gjyqësor të padrejtë në Hagë.
Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj.
Ndër aktivitetet tjera që shënuan “17 Shkurtin” ishte edhe hapja e një ekspozite me fotografi në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë.
Aty qytetarët panë nga afër fotografi nga momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës të artistit, Adnan Ruhani.
Në orët e pasditës kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, organizoi një takim të veçantë me eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rajonin e Shalës, duke përfshirë veteranë, invalidë dhe familjarë të dëshmorëve.
Dita e Pavarësisë në Mitrovicë u përmbyll me një fitore në sport. Trepça fitoi Kupën e Kosovës në Basketboll.