Lajme

Buxheti 2023 – 2025: Infrastruktura dhe arsimi prioritet për banorët e Kçiqit të Mitrovicës

  • 22/07/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Rregullimi i rrugëve, trotuareve, kanalizimit, ndriçimit publik, rregullimi i urës mbi lumin Sitnica, ndërtimi i një pllake përkujtimore për të rënët nga lufta e fundit, ndërtimi i një çerdheje publike, renovimi i shkollës, rregullimi i kabineteve të shkollës, të sallës së edukatës fizike, të tualeteve, dhe të daljes emergjente të shkollës, kanë qenë disa nga kërkesat e banorëve të fshatit Kçiq i Mitrovicës të pranishëm në dëgjimin e dytë publik për planifikimin e buxhetit 2023-2025.

Në takimin që u mbajt të enjten në shkollën e fshatit “Bislim Imeri”, drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Mitrovicës, Igballe Islami, u tha të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes dhe të japin propozime e të shpalosin kërkesat e tyre të cilat do të bëhen pjesë e projekteve kapitale.

Për buxhetin në përgjithësi dhe për mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së tij, foli zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu. Ai tha se “Buxheti i komunës për vitin 2023 planifikohet të jetë 25, 011,350.00 euro. Burimet e fondit të buxhetit janë; granti i përgjithshëm 9, 725,479.00, granti i arsimit 8,522,968.00, granti i shëndetësisë 2,739,643.00, financimi i teatrove 169,890.00, shërbimet rezidenciale 180,000.00 dhe të hyrat vetanake 3,673,370.00 euro”.


Komuna e Mitrovicës ka filluar mbajtjen e takimeve publike me qytetarë për planifikimin e buxhetit 2023 – 2025.