Lajme

Bordi i Drejtorëve diskutoi për situatën aktuale të vërshimeve

  • 24/01/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Bordi i Drejtorëve diskutoi për situatën aktuale të vërshimeve

Drejtuar nga kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale sot është mbajtur mbledhja e Bordit të Drejtorëve, ku kanë diskutuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballet komuna pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut.

Fillimisht kryetari z. Hamza ka falënderuar të gjithë drejtorët për angazhimin e tyre në menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet, në veçanti ka shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e treguar të anëtarëve të Qendrës Operative Emergjente Lokale dhe gjithë bashkëpunëtorët e tjerë.

Ai ka potencuar se Mitrovica është përballë me vërshimin e tre lumenjve të cilët kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, shifra e të cilave arrin miliona euro.

“Fatmirësisht nuk kemi pasur viktima, të gjitha familjet që kanë pasur nevojë për strehim janë strehuar, kanë përkujdesje e mbikëqyrje nga komuna. Po ashtu kanë shujta ditore dhe gjëra elementare për jetesë”, tha ndër tjerash kryetari z. Hamza.

Kryetari z. Hamza ka thënë se njerëz të vullnetit të mirë, donatorë dhe organizata bamirëse janë duke ndihmuar komunën me ndihma të konsiderueshme dhe ditët në vijim presim që të kemi mbështetje edhe më të mëdha.

Komuna e Mitrovicës do të qëndroj pranë të gjithë qytetarëve që janë prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë me të cilën jemi duke u ballafaquar ta tejkalojmë dhe të rindërtojmë pronat private e ato publike.