Kulture
Anulohen aktivitetet kulturore për një ditë!
- 26/07/2021
- By RTV Mitrovica
Komuna e Mitrovicës anulon aktivitetet e parapara për ditën e sotme (26 Korrik 2021) për ditët e diasporës, në shenjë nderimi për viktimat që humben jetën nga aksidenti në Kroaci
Nën kryesimin e nënkryetarit të komunës, Faruk Mujka, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës.
Fillimisht mbledhja nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për viktimat që humben jetën në aksidentin e autobusit me bashkatdhetarët tanë që ishin duke ardhur nga Gjermania, me ç’ rast ekzekutivi i komunës u shprehen ngushëllime familjarëve të viktimave, dhe shërim sa më të shpejtë personave që janë të lënduar.
Lidhur me këtë, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka njoftuar bordin se aktivitetet e parapara të mbahen sot për ditët e diasporës do të anulohen në shenjë nderimi për viktimat që kanë humbur jetën në aksidentin në Kroaci.
Ndërkaq në këtë mbledhje, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, njoftoi rreth procesit të vaksinimit, ku tha se brenda ditës po jepen 500-600 vaksina, dhe deri më tani janë dhënë 15 mijë doza të vaksinës për qytetarët e Mitrovicës.
Në fund, Bordi diskutoi edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.