Lajme

Përurohet objekti i ri i QMF-së në Iliridë të Mitrovicës

  • 15/11/2024
  • By RTV Mitrovica
Share

Përurohet objekti i ri i QMF-së në Iliridë të Mitrovicës

Sot, është mbajtur ceremonia e përurimit të objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen Iliridë, një projekt që është realizuar me bashkëfinancim nga Komuna e Mitrovicës dhe organizata humanitare Qatar Charity.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, nënkryetari i Komunës, z. Arian Tahiri, kryesuesja e kuvendit, znj.Vesa Broja, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, përfaqësues të Qatar Charity, drejtori i QKMF-së, “Dr. Nexhat Çuni”, z. Fevzi Sylejmani, drejtorë dhe asamblistë komunalë.

Në fjalën e tij, kryetari Hamza shprehu kënaqësinë e tij për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë primare në Komunën e Mitrovicës. Ai theksoi se ky është objekti i 14-të që po përurohet në tre vitet e fundit, gjatë mandatit të tij si kryetar, duke përfshirë edhe qendra të tjera si ato në Koshtovë, Stan Terg, Frashër, Iliridë dhe nëntë të tjera të renovuara. Kryetari Hamza theksoi se investimet në shëndetësi janë një nga premtimet e tij kryesore dhe se deri në fund të vitit pritet të përfundojë edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

Ai gjithashtu potencoi rëndësinë e këtij investimi në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Mitrovicës, duke shtuar se janë rritur furnizimet me barna esenciale dhe mbështetja financiare për familjet me sëmundje të rënda.

Në përfundim të fjalës së tij, kryetari Hamza falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti, përfshirë organizatën Qatar Charity, si dhe stafin shëndetësor për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, foli për shërbimet që do të ofrohen në këtë QMF, duke theksuar se kjo qendër do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh shëndetësore, përfshirë mjekësinë familjare, infermierinë, stomatologjinë, radiologjinë dentare, analizat laboratorike, shërbimin e vaksinimit, farmacinë, si dhe edukimin shëndetësor, këshillimin dhe promovimin e shëndetit.