Lajme
Mitrovicë: Më 15 Maj fillon regjistrimi i nxënësve në klasën e parë
- 12/05/2024
- By RTV Mitrovica
Drejtoria komunale e Arsimit në Mitrovicë ka bërë të ditur se fillon sëshpejti procesi i regjistrimit të nxënëesve në klasën e parë.
“Regjistrimi i nxënësve në klasën e parë për vitin e ri shkollor 2024/25 bëhet prej 15 Maj 2024 deri më 15 Qershor 2024, në të gjitha shkollat fillore të komunës së Mitrovicës,” njofton DKA.
Fëmijët që do të regjistrohen në klasë të parë duhet të kenë mbushur gjashtë vjet, ndërsa para kësaj moshe regjistrimi bëhet vetëm me vlerësimin dhe rekomandimin e një ekipi profesional të caktuar nga shkolla.
“Ekipi vlerëson pjekurinë njohëse, sociale, motorike dhe emocionale të fëmijës duke përcaktuar gatishmërinë e fëmijës për të hyrë në klasë të parë,” thuhet në njoftim duke shtuar se “vendimin përfundimtar e merr drejtori i shkollës.”
Ky ekip sipas këtij njoftimi përbëhet nga psikologu, pedagogu, mësuesi mbështetës i shkollës etj.
Fëmijët me diagnozë mjekësore para regjistrimit referohen ek ekipi komunal për vlerësim pedagogjik në Drejtorinë Komunale për Arsim.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim janë certifikata/ekstrakti i lindjes i fëmijës, certifikata e vaksinimit dhe dëshmia për vendbanim nga bashkësia lokale e cila nuk është më e vjetër se gjashtë muaj. Dokumentet e prindit/kujdestarit ligjor. Formulari i regjistrimit plotësohet në momentin e regjistrimit ndërsa për fëmijët që kanë ndjekur edukimin parafillor, në raste specifike mund të kërkohet edhe një vlerësim përshkrues për fëmijën nga edukatorja.