Lajme
Komuna e Mitrovicës mundëson praktikë me pagesë për të rinjtë me aftësi të kufizuara
- 19/07/2023
- By RTV Mitrovica
Sabrush Çabra mori sot një lajm të mrekullueshëm gjat takimit që pati me drejtoreshën për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi.
Ai u njoftua se Komuna e Mitrovicës do t’u mundësoj trajnim dhe punë praktike me pagesë të rinjëve me aftësi të kufizuara në Mitrovicë.
Iniciativa është e drejtorit për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunë, Elvis Feka, tha drejtoresha Idrizi.
“Me shumë kënaqësi e njoftova Sabrushin për mundësinë e re që Komuna e Mitrovicës ofron praktikë me pagesë për të rinjtë me aftësi të kufizuar, konkretisht Drejtoria për zhvillim dhe turizëm. Iniciativë kjo e drejtorit Elvis Feka, që ishte shumë e nevojshme, në fakt e domosdoshme,” shkroi ajo në Facebook.
Ndërkohë në thirrjen publike për aplikim, Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane fton personat me aftësi të kufizuara të moshës 18-35 vjeç që të aplikojnë për skemën trajnim dhe praktikë në punë, në biznese, OJQ dhe Institucione Publike.
Kohëzgjatja e trajnimit dhe punës praktike do të jetë 6 muaj, jo më shumë se 20 orë në javë, ndërsa të përzgjedhurve do t’u kompensohen 220 euro si ndihmë financiare.
Dokumentet për aplikim janë te renditura në fotografinë e publikuar më poshtë.