Lajme

Shënohet 24 vjetori i të pagjeturve dhe martirëve të Mitrovicës

  • 15/04/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Familjarë, përfaqësues të institucioneve e shoqatave u mblodhën sot në ‘Shtëpinë Muze’ në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, për të shënuar Ditën e të pagjeturve dhe martirëve.

Aty u përkujtuan 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Muaji prill, është muaji i dhimbjes dhe pikëllimit” tha nënkryetari i komunës së Mitrovicës Arian Tahiri në një fjalë rasti.

“Të gjithë së bashku, duhet ta kalojmë dhimbjen dhe të jetojmë me krenari, sepse falë gjakut dhe sakrificës së tyre ne sot gëzojmë lirinë dhe e kemi shtetin tonë. Çmimi i lirisë është shumë i shtrenjtë e ne si komb e kemi paguar këtë çmim me gjakun e bijëve dhe bijave tona”, shtoi ai.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka falënderuar qeverisjen lokale për bashkëpunim në shënimin e kësaj dite me rëndësi për qytetarët e Mitrovicës.

Pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e martirëve të kombit në Shipol.