Lajme
Kryetari z. Hamza njoftoi asamblenë komunale për menaxhimin e situatës pas vërshimeve
- 31/01/2023
- By RTV Mitrovica
Kryetari z. Hamza njoftoi asamblenë komunale për menaxhimin e situatës pas vërshimeve
Nën drejtimin e kryesueses, znj. Vesa Broja, dhe në prani të kryetarit të komunës, z. Bedri Hamza, asamblistëve dhe drejtorëve komunal, sot është mbajtur mbledhja e 17–të e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës.
Në këtë mbledhje janë diskutuar dy pika të rendit të ditës; Informatë e Kryetarit të Komunës lidhur me gjendjen në Mitrovicë pas vërshimeve dhe Raporti financiar për periudhën janar- dhjetor 2022.
Fillimisht kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, ka prezantuar para të pranishmëve informatë mbi bazën e të dhënave preliminare të dëmeve të shkaktuara deri më tani nga vërshimet në Mitrovicë, duke i njoftuar asamblenë komunale se raport më i detajuar do t’u dorëzohet pas përfundimit të vlerësimeve të plota nga komisionet komunale.
Kryetari z. Hamza lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet ka falënderuar të gjithë akterët relevant të institucioneve, Policinë e Kosovës, FSK-në, Zjarrfikësit, Kryqin e Kuq, Klubin e Zhytësve dhe gjithë vullnetarët e tjerë që kanë kontribuar në tejkalimin e kësaj gjendje.
Po ashtu ai ka thënë se ndihma ndaj familjeve të prekura nga vërshimet nuk ka munguar, ku konsiderohet të jenë afërsisht 200 familje që kanë pësuar dëme dhe përafërsisht 100 biznese, duke mos harruar dëmet e shkaktuara edhe në infrastrukturën publike, si ura, rrugë, trotuare etj.
“Komuna e Mitrovicës për dëmet e shkaktuara nga vërshimet ka vendosur të ndaj gjysmë milionë euro, me ç’ rast në seancën e radhës do të procedohet për miratim në Kuvendin Komunal. Si komunë jemi të gatshëm të ndihmojmë çdo donator i cili shpreh dëshirën për rindërtim apo rinovim të shtëpive të dëmtuara nga këto vërshime”, është shprehur ndër tjerash kryetari z. Hamza.
Më tutje, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, ka falënderuar të gjithë donatorët si grup duke mos harruar asnjërin nga ta për ndihmën e tyre të shpejtë dhe korrekte me ndihma të nevojshme dhe kualitative. Për fund, ai ka potencuar se me konstatim kjo gjendje është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet në mënyrë institucionale.
Ndërkaq për pikën e dytë të rendit të ditës Raporti Financiar janar- dhjetor 2022, drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, znj. Igballe Islami, ka prezantuar mënyrën e realizimit të buxhetit komunal për vitin 2022, ku ka potencuar se Komuna e Mitrovicës ka arritur të tejkaloj planifikimin e inkasimit të të hyrave vetanake për 18.5%.
“Sa i përket shpenzimit të buxhetit komunal, Komuna e Mitrovicës në total ka shpenzuar 92.5%, duke arritur kështu që granti qeveritar të shpenzohet 96%”, ka thënë drejtoresha znj. Islami.