Lajme
Përmbytjet në Mitrovicë, mbi 40 familje janë evakuuar
- 20/01/2023
- By RTV Mitrovica
“Të paparë ndonjëherë në Mitrovicë” e ka vlerësuar situatën e djeshme të përmbytjes së qytetit, kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza.
Këto komeenti i bëri në mbledhjen e Qendrës Operative Emergjente Lokale për menaxhimin e vërshimeve që u mbajt sot në komunë.
“Më shumë se 40 familje janë evakuuar në gjithë qytetin dhe pasojat janë shumë të mëdha.Mbi të gjitha fatmirësisht nuk kemi pasur humbje të njerëzve. Ata kanë nevojë për gjithçka, pasi që shtëpitë janë të pabanueshme dhe urgjent duhet t’i qëndrojmë pranë njerëzve me pako ushqimore, veshmbathje, si dhe duhet të bëhet identifikimi i familjeve që janë pa strehë, t’i vendosim me qira dhe komuna të marr përsipër pagesën e qirasë”, ka thënë kryetari Hamza.
Ai ka kërkuar nga drejtoresha për Buxhet dhe Financa, znj. Igballe Islami, të kryen të gjitha veprimet e nevojshme që buxheti të jetë operacional dhe të jenë në dispozicion mjetet të cilat do të shërbejnë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
Kryetari Bedri Hamza, ka falënderuar të gjithë akterët e angazhuar në këtë situatë, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, Ndërmarrjet të cilat operojnë në Komunën e Mitrovicës, FSK-në, Kryqin e Kuq dhe falënderim të veçantë ai pati edhe për Klubin e Zhytësve.
Ndërkohë në takim është bërë me dije se Qendra Operative Emergjente Lokale do të qëndroj pranë të gjithë banorëve të atyre lagjeve ku janë prekur nga vërshimet, duke i ndihmuar dhe mbështetur ata dhe se komisionet komunale vlerësuese shumë shpejt pritet të dalin në teren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Qytetarët që kanë nevojë emergjente mund të thërrasin në Qendrën Operative Emergjente 112 dhe në Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192.