Lajme
Komuna e Mitrovicës pjesë e pilot-projektit për lidhjen e qytetarit me adresë unike
- 18/01/2023
- By RTV Mitrovica
Komuna e Mitrovicës pjesë e pilot-projektit për lidhjen e qytetarit me adresë unike
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza, së bashku me drejtorin e Administratës, z. Gëzim Stavileci si dhe drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor z. Edison Tërnava morën pjesë në ceremoninë e lansimit të pilot-projektit për unifikimin e adresave apo lidhjen e qytetarit me adresë unike, për herë të parë në Mitrovicë të Jugut.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza tha se projekti i unifikimit të adresave është projekt i rëndësisë së veçantë ngase më shumë se disa dekada me këtë problem ballafaqohen qytetarët e Kosovës, bizneset dhe institucionet. Ai tha se është i lumtur që për implementimin e këtij projekti është zgjedhur Komuna e Mitrovicës.
“Jam i bindur se projekti do të implementohet suksesshëm, në kohë, do të jemi serioz dhe të përkushtuar në këtë punë për shkak se ka vështirësi sidomos për bizneset edhe me rastin e regjistrimit, ka problem edhe me institucione gjyqësore, gjykata dhe institucione tjera por normalisht kjo është problem edhe për qytetarët në këtë rast specifikisht për qytetarët e Mitrovicës së Jugut”, theksoi kryetari Hamza.
Përmes këtij sistemi, i cili bazohet në të dhënat që merren nga Sistemi i Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile dhe Sistemi i Informimit të Regjistrit të Adresave, synohet të bëhet ndërlidhja e regjistrit të gjendjes civile me regjistrin e adresave, duke krijuar adresë unike për secilin shtetas që jeton në Kosovë.
Ky projekti është mbështetur nga GIZ dhe do të finalizohet nga Banka Botërore.